Shqipëria renditet ndër vendet më të prekura nga varfëria energjetike në Evropë, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024. Vendi pozicionohet në krye të listës për përqindjen e popullsisë që nuk arrin të mbajë banesën mjaftueshëm të ngrohtë gjatë dimrit.
Sipas statistikave, 33.8% e shqiptarëve deklarojnë se nuk përballojnë dot kostot e ngrohjes, një nivel dukshëm më i lartë se çdo vend tjetër në rajon dhe shumëfish mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 9.2%. Në terma absolutë, kjo përkthehet në rreth 808,138 persona që jetojnë në kushte të pamjaftueshme ngrohjeje.
Edhe pse Shqipëria ka një popullsi më të vogël krahasuar me ekonomitë e mëdha evropiane, pesha sociale e fenomenit është veçanërisht e rëndë, pasi prek më shumë se një të tretën e qytetarëve. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, situata në Shqipëri paraqitet dukshëm më problematike: Maqedonia e Veriut raporton 30.7%, Mali i Zi 14.0%, ndërsa Serbia 9.3%, afërsisht në nivelin e mesatares së BE-së. Këto shifra e vendosin Shqipërinë jo vetëm në krye të rajonit, por edhe në një distancë të theksuar nga fqinjët e saj.
Në Bashkimin Evropian, megjithëse përqindjet janë më të ulëta, numri i personave të prekur mbetet shumë i lartë. Sipas Eurostat, mbi 41.3 milionë njerëz në BE nuk arrijnë të përballojnë ngrohjen e banesës. Rreth dy të tretat e tyre jetojnë në katër ekonomitë më të mëdha të unionit: Spanja me mbi 8.5 milionë persona, Franca rreth 8.1 milionë, Gjermania mbi 5.2 milionë dhe Italia rreth 5.1 milionë. Edhe pse përqindjet në këto vende janë dukshëm më të ulëta – si Italia me 8.6% dhe Gjermania me 6.3% – përmasat absolute të problemit mbeten të konsiderueshme.
Të dhënat nënvizojnë se, ndërsa varfëria energjetike është një sfidë evropiane, Shqipëria përballet me një krizë strukturore më të thellë. Kombinimi i të ardhurave të ulëta, kostove të energjisë dhe cilësisë së dobët të banesave e vendos vendin në një pozitë dukshëm më të pafavorshme krahasuar me pjesën më të madhe të Evropës.
Përtej ndikimit social, jetesa në ambiente të ftohta përbën edhe rreziqe serioze për shëndetin. Studimet tregojnë se temperaturat e ulëta në banesa rrisin rrezikun e goditjeve në tru, infeksioneve të frymëmarrjes dhe aksidenteve, duke e kthyer varfërinë energjetike në një çështje me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin publik.