Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në rrugën e Prushit, në Tiranë, ku një automjet, i drejtuar nga një shtetas 23 vjeç, është përplasur me një motomjet që drejtohej nga shtetasi B. T., 27 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motomjetit ka humbur jetën, ndërsa pasagjerja, shtetasja A. Gj., 22 vjeçe, ka mbetur e plagosur dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Banorë të zonës bëjnë me dije për JOQ se ky është aksidenti i katërt brenda vetëm katër muajsh në këtë segment rrugor, por fatkeqësisht ky i fundit rezultoi fatal. Ata shprehen të shqetësuar për rrezikun e vazhdueshëm dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet, duke apeluar për marrjen e masave konkrete për rritjen e sigurisë në këtë aks rrugor, me qëllim parandalimin e tragjedive të tjera.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme proceduriale, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.