Anija e ngarkuar me ndihmën humanitare nga Qeveria e Kosovës për banorët e Gazës është nisur sot nga porti i Mersinit në Turqi.
Dërgesa, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë, të cilat do t’u shërbejnë qytetarëve në nevojë në Gaza.
Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për këtë ndihmë që në janar, por realizimi i saj u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e Kosovës theksuan se kjo ndihmë shpreh solidaritetin ndërkombëtar dhe përkushtimin për mbështetjen e popullatës civile që po përballet me vështirësi të mëdha në Gaza. Ky është gjithashtu një moment historik, pasi është hera e parë që Qeveria e Kosovës ofron ndihmë të tillë humanitare për këtë rajon.
Autoritetet shprehën mirënjohje të veçantë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij operacioni humanitar.