Aero Telegraph i ka kushtuar një artikull të plotë mbylljes së Air Albania, duke e përshkruar atë si kalimin nga një projekt prestigji në një dështim total financiar. Sipas medias gjermane, linja ajrore kombëtare shqiptare ka humbur licencën e operimit pas shtatë vitesh përpjekjesh për të mbijetuar, duke lënë pas pasagjerë të zhgënjyer, paga të papaguara dhe detyrime të shumta financiare.
Artikulli thekson se Air Albania u krijua në vitin 2017 si një partneritet mes Shqipërisë dhe Turqisë, me mbështetjen e Turkish Airlines, dhe u prezantua si një shtysë për turizmin dhe lidhjet ajrore ndërkombëtare të vendit. Megjithatë, mungesa e transparencës në krijimin e kompanisë, konkurrenca e fortë nga linjat low-cost dhe mbushja e dobët e fluturimeve e futën shpejt kompaninë në vështirësi serioze ekonomike.
Sipas Aero Telegraph, përpjekjet e fundit për rilançim në vitin 2025 me destinacione të reja dhe avionë me qira dështuan brenda pak muajsh. Me rritjen e borxheve, paditë ndërkombëtare dhe largimin e Turkish Airlines nga partneriteti, falimentimi u bë i pashmangshëm. Mbyllja e Air Albania shënon linjën e gjashtë ajrore shqiptare që ndërpret aktivitetin në dy dekadat e fundit, duke nxjerrë në pah vështirësitë e vazhdueshme të aviacionit civil në Shqipëri.