Një situatë e pazakontë është regjistruar në fshatin Krapës, në njësinë administrative Portëz të bashkisë Fier, ku qindra shpendë kanë ngordhur brenda pak orësh, duke ngritur dyshime për përhapjen e gripit të shpendëve.
Sipas banorëve, ngordhja ka ndodhur papritur dhe shpendët kanë shfaqur simptoma të rënda përpara se të ngordhnin. Ata shprehen të shqetësuar për mundësinë e një sëmundjeje infektive, e cila mund të rrezikojë jo vetëm fermat përreth, por edhe shëndetin publik.
Më shqetësuese paraqitet mënyra e trajtimit të shpendëve të ngordhur. Një pjesë e tyre po groposen, ndërsa të tjera, sipas dëshmive të banorëve, janë hedhur në lumin Gjanicë, duke rritur rrezikun e ndotjes mjedisore. Ky lum përshkon disa zona të banuara dhe bujqësore, kalon përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në det.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për të hetuar shkaqet e ngordhjes masive, për të marrë masa sanitare dhe për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjeve dhe ndotjen e mjedisit.