Në Spitalin e Shkodrës, duket se pacienti nuk shkon vetëm për t’u kuruar. Krevatët janë aq “modernë”, sa lëvizin vetë, të prishur e të lodhur nga koha, sikur janë më të sëmurë se pacientët. Kush shtrihet aty, duhet të mbajë ekuilibrin, se ndryshe rrezikon të bjerë para se ta shohë mjekun.
Kjo gjendje nuk është ndonjë habi e madhe, sepse po t’i hedhësh një sy spitaleve nëpër Shqipëri, historia është e njëjtë, mure të vjetra, pajisje të dala boje dhe kushte që të bëjnë të mendosh dy herë para se të sëmuresh. Spitalet e shtetit, në vend që të të japin shpresë, të japin merak, dhe fjala “shërbim” duket më shumë si shaka sesa si realitet.
E gjithë kjo ndodh nën hundën e Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, dhe kryeministrit Edi Rama, që në letra flasin për shëndetësi “moderne”, por në terren qytetarët denoncojnë krevate që lëvizin. Populli s’kërkon luks, kërkon vetëm të mos i dridhet shtrati kur shkon për t’u shëruar.