JOQ Albania ka siguruar pamje nga dhuna brutale ndaj një 26-vjeçari në zonën e Freskut në Tiranë, ngjarje që ka ndodhur më 6 dhjetor dhe që u raportua më herët gjatë ditës. Në video shihet qartë momenti kur i riu goditet disa herë në kokë me çekiç nga dy persona, ndërsa një i tretë filmon skenën pa asnjë hezitim.
Sipas informacioneve të bëra publike më herët, dy autorët e dyshuar të këtij sulmi janë 'Aroni' dhe 'Fire', dy personazhe të njohur të TikTok-ut, të cilët dyshohet se e kanë porositur dhunën pas komenteve që viktima u kishte lënë gjatë transmetimeve të tyre live. Për të kryer sulmin, ata kanë angazhuar 49-vjeçarin Helidon Marku, person me precedentë penalë.
Pamjet e siguruara nga redaksia jonë tregojnë se si dy agresorët e kapin të riun në mes të rrugës, e tërheqin në një cep të trotuarit dhe e godasin me çekiç disa herë në kokë dhe trup, përpara se të largohen. I treti, ndërkohë, filmon të gjithë aktin.
26-vjeçari është dërguar me urgjencë në QSUT, ku ndodhet i shtruar nën kujdesin e mjekëve, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar nga goditjet me mjet të fortë.
Ndërsa Helidon Marku është arrestuar, dy porositësit e dyshuar të sulmit vijojnë të jenë në kërkim. Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të madhe, duke ngritur shqetësime serioze mbi shkallën alarmante të dhunës së nxitur nga konfliktet e rrjeteve sociale.