Forcat e sigurisë iraniane kanë arrestuar me dhunë aktivisten e njohur për të drejtat e grave dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen 2023, Narges Mohammadi, njofton Fondacioni Narges. Lajmi u konfirmua nga vëllai i saj, i cili tha se Mohammadi u ndalua në qytetin Mashhad, së bashku me disa aktivistë të tjerë.
Fondacioni i saj i ka bërë thirrje autoriteteve për lirimin e menjëhershëm të 53-vjeçares dhe të gjithë aktivistëve të tjerë të arrestuar. Autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende lidhur me ngjarjen. Mohammadi u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023 për angazhimin e palodhur kundër shtypjes së grave në Iran dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ajo ishte mbajtur në Burgun famëkeq Evin në Teheran që nga viti 2021 dhe vetëm në dhjetor 2024 u lirua përkohësisht për arsye shëndetësore. Arrestimi i fundit dyshohet se ka ndodhur teksa ajo po merrte pjesë në një ceremoni përkujtimore për avokatin Khosrow Alikordi, i cili u gjet i vdekur në zyrën e tij javën e kaluar. Organizata Iran Human Rights me bazë në Norvegji ka kërkuar një hetim të pavarur, duke e cilësuar vdekjen si “të dyshimtë”.
Gjatë ceremonisë, disa aktivistë u arrestuan, ndërsa raportohet se mbanin slogane si “vdekje diktatorit” dhe “jetë të gjatë Iranit”. Taghi Rahmani, bashkëshorti i Mohammadi-t, tha se arrestimi u krye në mënyrë brutale dhe para syve të dëshmitarëve. “Ky akt përbën shkelje të qartë të të drejtave të njeriut dhe është një formë hakmarrjeje. Shtypja nga autoritetet është rritur ndjeshëm së fundmi,” deklaroi ai.
Para arrestimit, Mohammadi kishte akuzuar autoritetet iraniane për intensifikim të represionit pas armëpushimit të qershorit me Izraelin. Vetëm javën e kaluar, ajo shkroi për Time mbi kontrollin e ashpër që shteti ushtron në çdo aspekt të jetës personale dhe publike në Iran.
“Paqja e tyre prishet nga mbikëqyrja, censura, arrestimet arbitrare, torturat dhe kërcënimi i vazhdueshëm i dhunës,” shkruante Mohammadi.
Komiteti Nobel kishte paralajmëruar më herët se Mohammadi ishte vënë nën presion nga autoritetet iraniane për të ndalur çdo aktivitet publik brenda vendit dhe çdo shfaqje ndërkombëtare në mbështetje të demokracisë dhe lirive themelore.
Gjatë karrierës së saj aktiviste, Narges Mohammadi është arrestuar 13 herë dhe është dënuar me më shumë se 36 vite burg dhe 154 goditje me shkop, sipas të dhënave të fondacionit të saj.