Një aksident rrugor është regjistruar në rrethrrotullimin e Skelës në Vlorë, ku një automjet tip BMW ka përplasur një qytetar që po lëvizte me biçikletë. Sipas dëshmitarëve, përplasja ka ardhur pasi biçikleta dyshohet t’i ketë prerë rrugën makinës.
Pavarësisht se i lënduari ka marrë dëmtime të lehta, qytetarët shprehen të indinjuar nga reagimi i shërbimeve emergjente. Sipas tyre, autoambulanca është vonuar disa minuta, duke e lënë të plagosurin në rrugë vetëm me ndihmën e kalimtarëve të rastit.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendngjarje për të menaxhuar trafikun dhe për të nisur procedurat hetimore. Qytetarët ankohen prej kohësh për mungesën e sinjalistikës dhe kaosin e përditshëm në këtë rrethrrotullim, ndërsa sot situata ka rrezikuar të përfundojë edhe më keq.