Bie avioni sportiv në Maqedoninë e Veriut, lëndohen dy shqiptarë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.12.2025, 17:45

Dy shtetas të Kosovës u plagosën sot pasi një avion i vogël sportiv, me të cilin po udhëtonin, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë bëri të ditur se të lënduarit, të moshës 41 dhe 64 vjeç, u transportuan menjëherë në Spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit, avioni i vogël u rrëzua rreth orës 12:35 në afërsi të digës së Kanalit të Beliçit. Dy personat në bord, XH.P. dhe D.M, ky i fundit piloti i mjetit fluturues, arritën të dilnin vetë nga avioni në tokë. Ata pësuan lëndime, por u nxorën në gjendje të vetëdijshme dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në Qendrën Mjekësore të Gostivarit.

Piloti 64-vjeçar deklaroi para policisë se gjatë fluturimit motori i avionit pësoi një defekt, gjë që e detyroi të ndërmerrte ulje emergjente në liqen.

Qendra për Menaxhimin e Krizave në Maqedoninë e Veriut njoftoi se menjëherë pas marrjes së informacionit për incidentin, në vendngjarje u angazhuan ekipet e ndihmës së shpejtë, njësitë rajonale të menaxhimit të krizave për ndërhyrje të shpejtë dhe përfaqësues nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.

Mediat në Maqedoninë e Veriut raportuan se avioni i rrëzuar, i markës Piper, ka kapacitet për deri në katër persona. Mjeti fluturues, i prodhuar në vitin 1961, është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara në emër të 64-vjeçarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit