Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:40, në kilometrin e 26-të të autostradës “Ibrahim Rugova”, që lidh Prizrenin me Suharekën.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë ngjarje tragjike kanë humbur jetën dy femra me shtetësi shqiptare, si pasojë e përplasjes së veturës së tyre me një kamion.
Sipas mediave vendase, dy viktimat janë identifikuar si Elizabeta Katija dhe Eorda Sinollari, të cilat udhëtonin së bashku në të njëjtën veturë. Njëra prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa e dyta ka humbur jetën në spital për shkak të plagëve të rënda të marra gjatë aksidentit.
Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Policia ka konfirmuar se vetura me targa të huaja është përplasur me një kamion me targa vendore, duke shkaktuar vdekjen e dy grave. Ndërkohë, ekipet hetimore po vazhdojnë punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.