Kushtetuesja pranon ankimimin e qeverisë, çështja Balluku kalon për shqyrtim me 5 vota pro dhe 3 kundër

Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 12.12.2025, 15:36

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin për kërkesën e paraqitur nga kryeministri Edi Rama, lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Me 5 vota pro dhe 3 kundër, Kushtetuesja ka vendosur ta pranojë ankimimin dhe ta çojë çështjen për shqyrtim në një seancë të posaçme.

Ky vendim hap rrugën për gjykimin në themel të pezullimit të vendosur më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO), e cila e largoi përkohësisht Ballukun nga detyra dhe i ndaloi daljen jashtë shtetit. Tashmë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të vendosin nëse masa e pezullimit përbën cenim të kompetencave të pushtetit ekzekutiv, siç pretendon qeveria.

Në ankimimin e paraqitur nga kryeministri Rama, theksohet se një anëtar i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, ndaj sipas ekzekutivit një gjykatë nuk mund të vendosë pezullimin e tij nga detyra. Qeveria pretendoi se GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit dhe ka marrë atribute që, sipas saj, nuk parashikohen nga Kushtetuta. Për këtë arsye, qeveria kërkon shfuqizimin e vendimit për pezullimin, ndërsa nuk ka ankimuar masën tjetër të ndalimit të lëvizjes jashtë vendit.

GJKKO vendosi pezullimin e Ballukut në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK, i cili ka ngritur akuza të rënda për abuzime me tenderin e tunelit të Llogarasë me vlerë 50 milionë euro, si edhe dyshime për paracaktim fituesi në tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. SPAK ka njoftuar gjithashtu se po heton një sërë procedurash të tjera prokurimi.

Bashkë me Ballukun, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe drejtori i KESH, Erald Elezi, dhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli. Të dy akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa Elezi përfshihet edhe në hetimin për tenderin e Unazës së Madhe.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë ankimimin e masave të sigurisë të vendosura nga GJKKO për Ballukun dhe dy zyrtarët e tjerë të hetuar.

Me vendimin e sotëm të Kushtetueses, çështja e pezullimit kalon në një fazë të re, teksa pritet seanca ku do të vendoset nëse masa e marrë nga GJKKO është në përputhje me Kushtetutën apo jo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit