Dy vëllezër dhe një person tjetër u plagosën me thikë paraditen e së premtes përpara gjimnazit “Shejnaze Juka” në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:10, ndërsa nxënësit po hynin në mësim. Dy vëllezërit po prisnin para portës së shkollës kur një grup të rinjsh mbërriti me makinë dhe nisi një sherr me grushte.
Pamjet e siguruara nga JOQ tregojnë se sherri u zhvillua masivisht, me rreth 20 adoleshentë që përplaseshin me grushte. Në një moment, njëri prej tyre, i veshur me xhup të kuq, nxori thikën dhe goditi dy vëllezërit, të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Një person tjetër nga grupi i të rinjve mbeti gjithashtu i plagosur.
Policia po heton ngjarjen dhe po analizojnë pamjet e kamerave për të identifikuar autorët. Në vendin e ngjarjes kanë mbetur xhupi dhe kapelja e njërit prej të plagosurve, ndërsa motivi i sherrit mbetet i paqartë. Ngjarja vjen pas disa incidenteve të ngjashme në shkolla dhe lagje të ndryshme të vendit, ku të rinjtë janë përfshirë në konflikte të dhunshme.