“Dhimbja nuk të lëndon”, mesazhi në kapelen e gjimnazistit të plagosur me thikë në Shkodër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.12.2025, 13:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte, më 12 dhjetor, pranë gjimnazit të gjuhëve të huaja “Shejnaze Juka” në lagjen “Zdrale” të Shkodrës, ku një përleshje fizike mes dy grupeve të rinjsh la pas tre të lënduar, dy prej të cilëvr janë vëllezër.

Incidenti ka ndodhur në dalje të shkollës, teksa një grup adoleshentësh sapo kishte dalë nga mësimi dhe u përplas me një grup tjetër që i prisnin jashtë. Sherri ka përfshirë përdorimin e thikave dhe sendeve të forta. Të lënduarit u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës për trajtim mjekësor.

Nga vendi i ngjarjes u sekuestrua një xhup i gjakosur dhe një kapele, mbi të cilën për ironi të fatit shkruhej në anglisht: “Dhimbja nuk të lëndon!” Shenja në xhup dyshohet se janë shkaktuar nga përdorimi i thikave gjatë përleshjes.

Ky incident rikujton tragjeditë e mëparshme të lidhura me konfliktet mes të rinjve në vend. Më 25 nëntor në Durrës, 15-vjeçari Erjon Boba u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar dhe ndërroi jetë më 4 dhjetor pas disa ditësh në spital. Autori u arrestua. Një vit më parë në Tiranë, nxënësi Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, i cili më pas u arrestua dhe u dënua me 16 vite burg.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e përleshjes dhe për të identifikuar të gjithë të përfshirët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit