“Ushtarët” e Martinajt fshiheshin në një vilë të izoluar në Fushë-Kuqe, lëviznin me skaf në Lagunën e Patokut

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.12.2025, 10:52

Dy të kërkuarit Alket (alias Fredi) Xhixha dhe Elvin Mërnika janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm. Sipas burimeve zyrtare, ata fshiheshin në një vilë dykatëshe të pozicionuar në një zonë të largët dhe me terren të vështirë, pranë lumit në Fushë-Kuqe.

Gjatë kontrollit, në afërsi të banesës u gjet edhe një skaf i dyshuar se përdorej nga të arrestuarit për të lundruar nga lumi Droja drejt Lagunës së Patokut.

Policia sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë, Xhixha dhe Mërnika dyshohen si pjesë e rrethit të ngushtë të Ervis Martinajt. Ata akuzohen për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Hetimet kanë zbuluar se Elvin Mërnika dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit që planifikonte vrasjen e Indrit Dokles, një porosi që, sipas organit të akuzës, i atribuohet Ervis Martinajt, i cili dyshohet të ketë ofruar 500 mijë euro për ekzekutimin.

Ndërkohë, Alket (alias Fredi) Xhixha, i arrestuar në të njëjtin operacion, rezulton vëllai i Besian Xhixhës, i dënuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës në mars të vitit 2020. Në dëshminë e Nuredin Dumanit, Xhixha përshkruhet si personi që ka ndërmjetësuar kontaktet mes tij dhe Ervis Martinajt. Sipas kësaj dëshmie, Martinaj, Xhixha dhe Mërnika janë nisur drejt Kosovës për të takuar Dumanin, me premtimin se Martinaj do ta ndihmonte për çështjet e tij gjyqësore dhe për shmangien e operacioneve policore.

Të arrestuarit ndodhen tashmë në paraburgim, ndërsa hetimet për aktivitetin dhe lidhjet e tyre të mundshme me grupin kriminal të Ervis Martinajt vijojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit