Alket Xhixha, 42 vjeç, është vënë në pranga sot në Fushë-Kuqe gjatë një operacioni të zhvilluar nga Forcat Operacionale me urdhër të SPAK. Arrestimi i tij lidhet me deklarimet e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka treguar se Xhixha ka ndërmjetësuar takimin mes tij dhe Ervis Martinajt.
Sipas autoriteteve, përveç Xhixhës është arrestuar edhe Elvin Mërlika, 47 vjeç, banues në Mamurras. Të dy dyshohen se kanë luajtur role të rëndësishme në veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar në sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të dyshuarit, të cilët akuzohen për disa vepra penale të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale. Hetimet për rastin vijojnë.