Kushtetuesja vendos sot për pezullimin e Belinda Ballukut, mes përplasjes qeveri–drejtësi

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 12.12.2025, 08:57

Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot nëse do të hapë ose jo çështjen e ankimuar nga Këshilli i Ministrave kundër masës së sigurisë të vendosur nga GJKKO për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo është vënë nën hetim nga SPAK për dyshime të korrupsionit dhe shkelje të rënda në procedurat e tenderave publikë, ndërsa vendimi i pezullimit ka sjellë përplasje të hapur institucionale midis qeverisë dhe drejtësisë.

Kryeministri Rama ka refuzuar të zbatojë plotësisht vendimin e GJKKO-së, duke mos e shkarkuar Ballukun nga detyra, por vetëm duke i hequr të drejtën e firmës dhe duke i kërkuar Kushtetueses ta rrëzojë masën. Paralelisht, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, gjyqtarja Miliana Muça do të shqyrtojë ankimet për masat e sigurisë të vendosura ndaj Ballukut dhe dy vartësve të saj, drejtorit të KESH-it, Erald Elezi, dhe kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli.

Vendimi i GJKKO-së i 20 nëntorit, që pezulloi zëvendëskryeministren dhe i ndaloi daljen jashtë vendit, u mbështet në dyshimet për shkelje të procedurave dhe ndikim në përcaktimin e fituesve në tenderat e tunelit të Llogarasë dhe lotit të katërt të Unazës së Madhe. SPAK ka bërë të ditur se hetimet po zgjerojnë fokusin edhe në procedura të tjera prokurimi, ndërsa Gjyli dhe Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit