‘Idealisti’ Endri Shabani: Dje ”armik i sistemit“, sot u zgjodh Avokat i Popullit nga ‘Rilindja’

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.12.2025, 00:03

Në Shqipëri, politika ngjan me një teatër komik ku aktorët ndryshojnë skenën, por rolet mbeten gjithmonë të njëjtat. Ndaj sot Parlamenti zgjodhi Endri Shabanin si Avokat të Popullit, me 85 vota pro, një rezultat që më shumë ngjan me një garë notash në klasën e parë, sesa me një proces serioz institucional.

Ironia? Ai që deri dje shihej si “kandidatura e opozitës”, sot u bekua nga mazhoranca me një entuziazëm që as vetë Shabani s’do ta kishte imagjinuar kur fliste për “revolucion moral” dhe “ndalimin e korrupsionit institucional”.

Po çfarë ndodhi? Nuk ka ndonjë mister. Sistemi bëri atë që bën gjithmonë.

Opozita, ndërkohë, bëri atë që bën po gjithmonë: u grind, u largua nga salla, u ankua për farsë… dhe pastaj la mazhorancën të zgjidhte qetësisht kandidatin e saj “opozitar”, të cilin deri dje e ndihmoi.

Me pak fjalë, një cirk që e shohim prej më shumë se 30 vitesh në arenën e politikës shqiptare.

Në sallë ishte edhe Kryeministri Rama, i cili e kishte lënë të kuptohej prej kohësh që PS nuk kishte kandidat favorit. Dhe me të drejtë, për çfarë duhet kandidat kur opozita të sjell një gati të ndarë me fjongo?

Deri dje, Shabani, i njohur gjerësisht si 'sorosist', bënte sikur dilte kundër sistemit. Sot, sistemi i jep çelësat e një prej institucioneve më të rëndësishme të kontrollit shtetëror.

Le të kujtojmë pak: para pak muajsh, “Nisma Thurje” ishte një arenë sherresh, diskutimesh për moralin dhe luftës ndaj tranzicionit. Sot, një nga drejtuesit e saj kryesorë shkon drejt zyrës më të qetë në shtet, një zyrë që ka dhënë më pak deklarata publike në 10 vite sesa ka bërë Shabani statuse në Facebook.

E ndërkohë, mazhoranca thotë: “Ne? Jo, jo, s’kemi kandidat tonin. Ky është kandidati i opozitës!” Dhe qesh nën hundë.

Rezultati? Shabani merr 85 vota, ndërsa kandidatët e tjerë mblodhën aq pak, sa edhe votat e abstenimeve dukeshin më të fuqishme politikisht se emrat e tyre.

Dhe kështu, Shqipëria pati edhe një episod tjetër të serialit të gjatë të tranzicionit tonë politik, atij seriali ku idealet fillojnë gjithmonë me zë të lartë… por mbarojnë zakonisht në ndonjë zyrë të shtetit.

Nga “lufta ndaj sistemit” në “funksionar i sistemit”. Një rrugë e shkurtër, shumë e shkurtër. Madje më e shkurtër se sa ne mendonim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit