“Air Albania” shet bileta me licencë të pezulluar, mijëra qytetarë në rrezik mashtrimi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.12.2025, 19:18

Një situatë e rëndë dhe e paprecedentë po ndodh në sektorin e aviacionit shqiptar. Kompania “Air Albania” vazhdon të shesë bileta fluturimi, pavarësisht se licenca e saj e operimit është pezulluar zyrtarisht nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) që në fillim të muajit.

Dokumenti i pezullimit konfirmon se kompania nuk ka të drejtë të kryejë shitje biletash deri në rikthimin e licencës, një kusht i përcaktuar qartë në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, “Air Albania” po vepron si të mos ketë ndodhur asgjë, duke ekspozuar mijëra pasagjerë ndaj një mashtrimi të mundshëm të përmasave të mëdha.

Skandali thellohet edhe më shumë nga fakti se aksioner në kompani është vetë shteti shqiptar, përmes Albcontrol, me 10 për qind të aksioneve. Praktikisht, qytetarët rrezikojnë të mashtrohen nga një kompani ku shteti është bashkëpronar.

Ndërkohë që “Air Albania” po vazhdon shitjet, një nga ortakët kryesorë të saj ka ndërmarrë hapin e kundërt. Turkish Airlines në Kosovë – aksionare në Air Albania, ka ndërprerë menjëherë shitjen e biletave dhe ka lëshuar një njoftim zyrtar për të gjitha agjencitë e udhëtimit: “Për shkak të situatës së krijuar me fluturimet e Air Albania, kompania jonë është e detyruar t’i ndërpresë shitjet në sistem për fluturimet e operuara nga Air Albania.”

Nëse Turkish ka ndalur shitjet për shkak të pezullimit të licencës, Air Albania po përdor qasje të kundërt, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i lënë qytetarët të pambrojtur.

Për më tepër, gjasat që kompania të rikthejë licencën janë thuajse zero, sipas të njëjtave burime. Kjo e bën situatën edhe më alarmante: çdo biletë e shitur sot mund të përfundojë si dëm financiar për udhëtarët, të cilët institucionet duket se nuk po i mbrojnë.

Për momentin, as AAC, as Ministria e Infrastrukturës dhe as institucione të tjera shtetërore nuk kanë dalë publikisht për të informuar qytetarët, ndërsa kompania vazhdon shitjet normalisht.

Mijëra shqiptarë rrezikojnë të humbasin para dhe plane udhëtimi, në një skandal që po merr përmasa të një mashtrimi të strukturuar, ku shteti është bashkëautor me heshtjen e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit