Austri: Gjobë ose burg për prindërit që dërgojnë vajzat me shami në shkollë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 11.12.2025, 18:25

Austria po i afrohet miratimit të një prej ligjeve më të debatueshme të viteve të fundit: ndalimit të shamisë së kokës për vajzat nën 14 vjeç në institucionet arsimore. Këshilli Kombëtar pritet të votojë sot draftin, pasi Komisioni i Arsimit e ka kaluar me shumicë të gjerë votash.

Forcat qeverisëse, ÖVP konservatore, Socialdemokratët dhe NEOS liberale, u rreshtuan pro, të njëjtin qëndrim mbajti edhe FPÖ e djathtë nacionaliste. E vetmja forcë që votuan kundër ishin të Gjelbrit.

Kjo nuk është hera e parë që Austria tenton ndalimin e shamisë. Në vitin 2020, një përpjekje e ngjashme u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila argumentoi se ligji i atëhershëm shkelte parimin e barazisë dhe lirinë fetare, pasi prekte një besim të vetëm, Islamin.

Sipas Ministrit të Arsimit, Christoph Wiederkehr, drafti aktual është hartuar duke marrë parasysh vërejtjet kushtetuese, çka e bën këtë nismë të re “të mbrojtur juridikisht” dhe të gatshme për t’u miratuar në parlament.

Zbatimi do të jetë rigoroz: fillimisht shkollat do të zhvillojnë një takim paralajmërues me prindërit. Por nëse shkeljet vazhdojnë, prindërit rrezikojnë gjoba nga 150 deri në 800 euro, ose deri në dy javë burg në rast mosbindjeje.

Ligji po ngjall debat të gjerë në vend, teksa votimi final pritet të përcaktojë nëse Austria do të bëhet një nga vendet me rregullat më të ashpra në Europë për veshjet fetare të të miturve në shkolla.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit