Rënia e lindjeve godet Shqipërinë: Ballkani drejt zhdukjes natyrore

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.12.2025, 16:54

Shqipëria përballet me një tjetër vit të vështirë në aspektin demografik, me numrin e lindjeve në rënie të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Our World in Data, parashikohen vetëm 27,433 lindje në vitin 2025, duke e renditur vendin në pozicionin e 147-të në shkallë globale.

Në rajon, situata është po aq shqetësuese. Greqia regjistron 68,148 lindje dhe mban vendin 120, Serbia me 58,142 lindje në vendin 128, ndërsa Kroacia me 30,995 lindje renditet e 143-ta. Shqipëria vjen menjëherë pas tyre, ndërsa Maqedonia e Veriut, me 16,313 lindje, zbret në vendin 158. Edhe Kosova, që dikur kryesonte rajonin për lindshmëri, renditet sot e 154-ta me 19,558 lindje. Mali i Zi mban vendin 171, me vetëm 6,969 lindje.

Në nivel global, tabloja është krejtësisht e ndryshme. India kryeson botën me 23.1 milionë lindje, duke përbërë 17% të totalit global dhe duke tejkaluar me shumëfish Evropën, e cila pritet të arrijë vetëm 6.3 milionë lindje në vitin 2025. Nigeria, me 7.6 milionë lindje, e kalon e vetme gjithë kontinentin evropian. Forcën demografike e shtojnë edhe Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Indonezia dhe Etiopia, që regjistrojnë miliona lindje secila.

Në kontrast të plotë, Kina, dikur epiqendra e rritjes së popullsisë, pritet të ketë vetëm 8.7 milionë lindje, me një normë fertiliteti që ka rënë rreth një fëmijë për grua.

Këto shifra tregojnë se qendra demografike globale po zhvendoset drejt Azisë dhe Afrikës, ndërsa vendet evropiane, përfshirë Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin, po përballen me një rënie të thelluar të lindshmërisë dhe plakje të popullsisë.

Në dekadat e ardhshme, ky hendek demografik pritet të rritet edhe më shumë, duke e shndërruar krizën demografike në një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike të rajonit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit