Frikë apo kujdes? Prokurori Braho me gotë uji me vete

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.12.2025, 15:46

Një detaj i pazakontë gjatë seancës së pyetje–përgjigjeve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe mediave: prokurori Klodian Braho, i sapozgjedhur kreu i SPAK-ut, vendosi mbi tavolinë një gotë plastike personale, të cilën e nxori nga çanta e tij.

Ky veprim ka ngritur menjëherë aludime për masa të shtuara sigurie, sidomos në një moment kur kreu aktual i SPAK, Altin Dumani, ka paralajmëruar publikisht se prokurorët janë përballur me kërcënime serioze, madje edhe me plane atentatesh ndaj tyre.

Braho nuk dha asnjë shpjegim për arsyen e përdorimit të gotës personale, por detaji u interpretua nga disa si një sinjal i mundshëm i rrezikut dhe tensionit që shoqëron detyrën në institucionin më të rëndësishëm antikorrupsion në vend.

Klodian Braho u zgjodh sot drejtues i ri i SPAK, duke marrë 7 vota, ndërsa kandidatët e tjerë, Adnan Xholi (3 vota), Elvin Gokaj (1 votë) dhe Doloreza Musabelli (0 vota).

Prokurori Braho është pjesë e SPAK që prej ngritjes së tij dhe drejton seksionin kundër korrupsionit. Me një karrierë të nisur në vitin 2007, ai ka qenë i angazhuar në hetime të rëndësishme ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Detaji i sotëm, ndonëse i vogël, ka hapur diskutime të mëdha mbi presionet dhe rrezikshmërinë që shoqërojnë punën e prokurorëve të strukturës më të ekspozuar ndaj grupeve kriminale dhe interesave të fuqishme në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit