Një qytetare nga Orikumi ka denoncuar në redaksinë tonë gjendjen skandaloze të kopshtit “Mustafa Kemal Atatürk”, ku sipas saj muret e brendshme janë të mbuluara plotësisht nga lagështira dhe myku. Ajo thotë se kjo situatë është kthyer në rrezik serioz për shëndetin e fëmijëve, të cilët po sëmuren çdo ditë për shkak të kushteve të mjerueshme.
Pamjet e dërguara tregojnë dëmtime të dukshme në ambientet ku fëmijët zhvillojnë aktivitetet ditore, ndërsa prindërit shprehen të shqetësuar për mungesën e çdo ndërhyrjeje. Sipas denoncueses, problemi është i njohur prej kohësh, por askush nuk ka marrë masa konkrete.
Prindërit fajësojnë Bashkinë Vlorë, e cila ka detyrimin të mirëmbajë kopshtet publike, por sipas tyre ka lënë në harresë këtë institucion. Kryebashkiakja Brunilda Mersini duket se ka më shumë vëmendjen te pastrimi i karrigeve në shëtitoren e Lungomares sesa te problemet reale që prekin fëmijët e Vlorës, ndërsa kopshti në Orikum vazhdon të mbetet në kushte të degraduara për fëmijët që kryejn aktivitetet ditore aty.
Ata kërkojnë një reagim urgjent dhe ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar kushte të denja dhe të sigurta për fëmijët e Orikumit.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ, këto janë kushtet në kopshtin Mustafa Kemal Ataturku! Po na sëmuren fëmijët nga lagështira, Bashkia e Vlorës që e ka për detyrë mirëmbajtjen e kopshtit s'do të dijë fare. Do ju isha falenderuese nëse e postoni. Na është kthyer në stres se po na sëmuren fëmijët nga mushkëritë vetëm nga lagështira që ka kopshti.