Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme,pas javësh protestash të përhapura në vend kundër politikave ekonomike të qeverisë dhe dështimit për të luftuar korrupsionin. Vendimi u bë publik vetëm pak minuta para se parlamenti të votonte një mocion mosbesimi ndaj kabinetit.
Dorëheqja vjen në një moment kritik për Bullgarinë, që pritet të anëtarësohet në eurozonë më 1 janar, ndërkohë që në rrugë mijëra qytetarë protestojnë kundër rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, taksave të dividentëve dhe pakënaqësisë së përgjithshme ndaj qeverisjes.
Protestat kanë përfshirë Sofjen dhe dhjetëra qytete të tjera, duke reflektuar zemërimin e publikut për korrupsionin e vazhdueshëm dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme për ta frenuar atë. Edhe Presidenti Rumen Radev i kërkoi hapur qeverisë të dorëhiqej, duke deklaruar: “Dëgjoni sheshet publike! Pushteti është i popullit.”
Javën e kaluar, qeveria e Zhelyazkov u detyrua të tërhiqte buxhetin e vitit 2026, të parin e përgatitur në euro, pas valës së protestave dhe kritikave nga opozita, bizneset dhe organizatat e shoqërisë civile.
Pas dorëheqjes, presidenti do t’i ftojë partitë parlamentare të tentojnë formimin e një qeverie të re. Megjithatë, nëse negociatat dështojnë, një skenar i pritshëm duke parë fragmentimin politik — Bullgaria do të drejtohet nga një qeveri e përkohshme deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Vendi ka mbajtur shtatë zgjedhje kombëtare në katër vitet e fundit, ndërsa polarizimi i thellë politik e ka bërë pothuajse të pamundur krijimin e një qeverie të qëndrueshme.
Ndërkohë, procesi i kalimit në euro mbetet i paqartë, pasi rreth gjysma e bullgarëve janë skeptikë, të shqetësuar për inflacionin dhe të ekspozuar ndaj dezinformimit, veçanërisht atij të nxitur nga Rusia, që synon uljen e mbështetjes për monedhën e përbashkët evropiane.
Në horizont, Bullgaria përballet me sfidën e radhës: gjetjen e qëndrueshmërisë politike në një moment të brishtë ekonomik dhe shoqëror.