Një sasi armësh, municionesh dhe karikatorësh u sekuestrua nga autoritetet greke në banesën e Dhimitër Meçit, i njohur si “Dhimos”, në një fshat në Shqipëri. Ai është një nga të dyshuarit kryesorë për përfshirje në grupin e vrasësve me pagesë që, sipas hetimeve, tentuan të eliminonin mafiozin grek Giannis Lalas në maj të këtij viti. Mediat greke raportojnë se Meçi ka një të kaluar të ngarkuar me akuza për vrasje dhe atentate, duke u konsideruar si një figurë e rëndësishme brenda strukturave kriminale të njohura si “Mafia Greke”.
Në dosjen hetimore të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar thuhet se gjatë atentatit ndaj Lalasit, “Dhimos” dyshohet se ka qëlluar dhjetëra herë nga një motoçikletë drejt një automjeti të blinduar Mercedes, në të cilin ndodhej shënjestra. Për këtë çështje, krahas Meçit, autoritetet kanë arrestuar edhe tre shqiptarë të tjerë dhe dy shtetas grekë, të cilët dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe zbatimin e planit kriminal.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një makinë Yaris e bardhë, e përdorur nga grupi për survejimin dhe lëvizjet logjistike, është gjetur nga policia helene. Katër prej të arrestuarve dyshohet se janë gjithashtu përgjegjës për një sulm me zjarrvënie në një pikë karburanti në Argyroupoli, më 23 shkurt 2025, ku autorët janë parë të afrohen me dy motoçikleta dhe të derdhin lëndë ndezëse përpara se të largoheshin me shpejtësi.