Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të jetë i bllokuar sot për tre orë për shkak të protestës së fermerëve grekë, njofton Policia Kufitare e Kakavijës.
Qarkullimi i automjeteve do të ndalet nga ora 13:00 deri në 16:00, sipas orës shqiptare, ndërsa do të lejohen të kalojnë vetëm mjetet me emergjenca shëndetësore.
Sipas informacioneve të marrë nga pala greke përmes qendrës së përbashkët të shkëmbimit të të dhënave, bllokimi do të ndodhë konkretisht në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, nga ora 14:00 deri në 17:00, sipas orës greke. Autoritetet greke kanë njoftuar se gjatë këtij orari të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet me emergjenca shëndetësore.”
Protestat e fermerëve grekë janë intensifikuar ditët e fundit për shkak të vonesave në marrjen e subvencioneve të Bashkimit Europian, pas një skandali korrupsioni. Fermerët paralajmërojnë se do të vazhdojnë dhe mund të ashpërsojnë protestat nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.