Edhe pse ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, tregu i punës po jep sinjale ngadalësimi.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në tremujorin e tretë 2025 numri i të punësuarve për popullsinë 15+ ra në 1.178.604, ose 0,6% më pak se një vit më parë. Shkalla e papunësisë mbeti 8,1%, por me ndryshime të theksuara mes gjinive: 6,8% për burrat (-0,9 pikë) dhe 9,7% për gratë (+1,2 pikë). Tek të rinjtë 15–29 vjeç papunësia zbriti në 15%, ndërsa për moshën 30–64 vjeç është 7,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë, punësimi është rritur me 0,7%, duke çuar shkallën e përgjithshme të punësimit në 58,8%, ndërsa për grupmoshën 15–64 vjeç në 69,6%. Hendeku gjinor mbetet i thellë: 76,6% e burrave janë të punësuar, kundrejt 62,7% të grave.
Ndërkohë, pjesëmarrja në forcat e punës u rrit në 76,5% (82,9% për burrat dhe 70,2% për gratë). Inaktiviteti për grupmoshën 15–64 vjeç mbetet 23,5%, ndërsa tek të rinjtë arrin në 46,5%, kryesisht për shkak të përfshirjes në arsim.
Të dhënat e INSTAT sugjerojnë një treg pune në ngadalësim, me sfida të theksuara për gratë dhe me luhatje të forta ndërmjet grupmoshave.