Paratë që emigrantët u dërgojnë familjeve në Shqipëri po rriten nga viti në vit. Vetëm për janar–shtator 2025 në vend kanë hyrë 817 milionë euro, rreth 6% më shumë se një vit më parë. Vera solli edhe më shumë prurje: në korrik–shtator emigrantët kanë sjellë 285 milionë euro, një rritje prej gati 9%.
Kjo rritje ka nisur prej vitesh dhe pas pandemisë është përshpejtuar aq shumë sa në 2024 u kap për herë të parë shifra mbi 800 milionë euro brenda 9 muajve. Me ritmin që po ecën, 2025-a pritet të kalojë edhe 1 miliard euro. Kjo lidhet me faktin që shumë shqiptarë kanë marrë rrugën e emigrimit sidomos pas 2015-s.
Sipas Eurostat, vetëm gjatë viteve 2022–2023 rreth 154 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së, ndërsa që nga 2008 numri shkon në rreth 920 mijë. Shumica e parave vijnë ende nga Greqia e Italia, por tani po shtohen edhe ato nga Gjermania dhe Anglia.