Prej më shumë se 16 vitesh, rruga që lidh fshatin Veleshnje me qytetin e Beratit vijon të jetë në gjendje të rëndë, pa asnjë investim të qëndrueshëm nga institucionet përgjegjëse. Segmenti është lënë totalisht në harresë, duke u kthyer në një nga problemet më të mprehta të zonës.
Një emigrant, i rikthyer ditët e fundit në Shqipëri, denoncon se punimet e kryera nga Bashkia Berat janë tepër sipërfaqësore dhe nuk zgjidhin asgjë. Ai thotë se këto 'investime' “janë qesharake” dhe tregojnë mungesën e seriozitetit në trajtimin e një rruge kaq të rëndësishme për komunitetin.
Sipas tij gjatë stinës së dimrit situata bëhet më problematike. Rruga shndërrohet në baltë dhe gropa të mëdha, duke e bërë pothuajse të pakalueshme për automjete dhe këmbësorë. Banorët rrezikojnë përditë, ndërsa fëmijët hasin vështirësi për të shkuar në shkollë, pacientët për të mbërritur në qendrën shëndetësore dhe fermerët për të transportuar prodhimet e tyre.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Berat të mos mbyllë sytë ndaj këtij problemi që zgjat prej më shumë se një dekade e gjysmë. Ata kërkojnë një ndërhyrje serioze dhe të qëndrueshme që të rikthejë lëvizjen normale dhe t’i japë fund ndjesisë së braktisjes nga shteti.
Denoncimi i qytetarit:
"JETA OSH QEF JAM NJE EMIGRANT JETOJ JASHT SHTETIT PARA CA DITESH JAM KTHYER SHQIPERI....DESHA TE PUBLIKOJA PUNIMET E BASHKIS BERAT LIDHUR ME RRUGEN BERAT VELESHNJE QE E SHTRUAN PARA 10 DITESH PAMJET DO I SHINI ANONIM TE LUTEM FLM. PAMJET QESHARAKE LUM NE PER KTE SHTET"