Belgjika heq dorë nga dosja “Toyota Yaris”: 3.5 milionët mbeten pa gjyq

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10.12.2025, 22:05

Drejtësia belge ka bërë një lëvizje të papritur në çështjen e njohur si “Toyota Yaris”, dosja që prej vitit 2019 ka lidhur Belgjikën me Shqipërinë dhe ka ndezur debate politike në të dy vendet. Dhoma e 46-të e Gjykatës Korreksionale në Bruksel vendosi të shpallet “territorialisht e papërgjegjshme” për gjykimin e kësaj çështjeje, duke hequr dorë nga trajtimi i saj.

Vendimi u konfirmua nga avokatët e të pandehurve, përfshirë disa prej emrave më të njohur të botës ligjore në Belgjikë. Dosja shpërtheu në korrik 2019, kur në Shqipëri u sekuestrua një kamion me automjete Toyota të blera në Belgjikë, brenda të cilave u gjetën 3.5 milionë euro dhe 100 mijë franga të fshehura, që dyshohen si para të rrjetit kriminal belgo-shqiptar.

Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, një ekip i Prokurorisë Federale belge udhëtoi në Tiranë për të marrë deklarime, mes tyre edhe nga ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili megjithatë nuk figuron si i pandehur në procedimin belg. Në total, trembëdhjetë persona janë vënë nën akuzë në Belgjikë.

Gjykata belge e argumenton vendimin me mungesën e provave që përcaktojnë se në cilin shtet dhe në çfarë momenti paratë u futën në automjetet e sekuestruara. Kamioni kishte kaluar disa kufij përpara se të ndalohej në portin shqiptar, duke e bërë të paqartë juridiksionin.

Edhe pse çështja nuk do të shqyrtohet nga kjo gjykatë, Prokuroria Federale belge mban të drejtën e apelimit, çka mund të hapë një fazë të re në një dosje që mbetet e rëndësishme politikisht dhe diplomatikisht për të dy vendet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit