Halla e 15-vjeçarit që u vra me thikë: “Në sallën e operacionit u fikën dritat, Erioni pësoi bllokim të trurit nga mungesa e oksigjenit”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 12.12.2025, 19:10

Halla e Erjon Bobës, 15-vjeçarit që humbi jetën pas plagosjes me thikë në Durrës, ka treguar momentet e fundit të nipit të saj dhe shqetësimet e familjes për trajtimin që ai mori në spitalin rajonal.

Barie Çupi tha se familjarët po përpiqeshin me çdo mënyrë ta transferonin adoleshentin në një spital me kushte më të mira, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë. Sipas saj, Spitali Rajonal i Durrësit nuk i plotësonte standardet e nevojshme për të përballuar një rast të tillë urgjent.

Ajo u shpreh se mospunimi i ashensorëve kishte vonuar procedurat e domosdoshme për 15-vjeçarin, i cili duhej të kryente rezonancë magnetike. Edhe më e rëndë, sipas rrëfimit të familjarëve, ishte ndërprerja e energjisë elektrike gjatë kohës që ai ndodhej në sallën e operacionit.

“Prindërit e Erionit më thanë se dritat në spital janë fikur për rreth 2–3 minuta, në kohën kur ai ishte në operacion. Nuk e dimë sa ndikoi kjo në sallë, por të mendosh që pajisjet jetësore funksionojnë me energji, është e tmerrshme. Si mund të punojë një bombël oksigjeni pa korrent?”, u shpreh Çupi.

Ajo shtoi se kartela mjekësore e 15-vjeçarit i është dërguar mjekëve jashtë vendit, të cilët kanë konkluduar se Erioni kishte pësuar bllokim të trurit si pasojë e mungesës së oksigjenit. Edhe nëse do të mbijetonte, sipas tyre, ai do të kishte mbetur në gjendje të pakthyeshme.

“Erioni pati dy fatkeqësi: e para, që u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij, dhe e dyta, që nuk u gjend në një spital me standardet e duhura. Mjekët janë heronj, por kur punojnë në kushte të tilla, nuk mund të bëjnë më shumë”, tha Çupi.

Ajo tregon se pak para vdekjes së adoleshentit po përgatitej dokumentacioni për ta zhvendosur në një spital tjetër, ndërsa përmes një letre i kishte kërkuar një gazetareje të njohur që çështja të bëhej publike, me shpresën për të gjetur ndihmë më të specializuar. Por Erioni nuk ia doli.

“Erioni na la…”, përfundoi ajo mes dhimbjes dhe shumë pikëpyetjeve mbi trajtimin e 15-vjeçarit në spitalin rajonal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit