BE i kërkon Shqipërisë të kthejë 33 milionë € të shpërdoruara nga fondet IPARD–2!

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 10.12.2025, 20:58

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Shqipëria të rimbursojë mbi 33.5 milionë euro, të konsideruara si fonde të përdorura në mënyrë të parregullt në kuadër të programit IPARD II gjatë viteve 2020–2022. Shuma rezulton pas hetimeve të kryera nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila ka identifikuar 52 raste abuzimi me fondet e destinuara për zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve shqiptarë.

Komisioni Evropian thotë se çdo shumë e keqpërdorur duhet t’i kthehet buxhetit të BE-së. Autoritetet shqiptare, sipas KE-së, kanë angazhuar një kompani të specializuar ndërkombëtare për të kryer një auditim të plotë mbi grantet, pagesat dhe funksionimin e sistemit të brendshëm të menaxhimit dhe kontrollit të IPARD II. Auditimi është mbyllur dhe qeveria është në fazën e vlerësimit të masave korrigjuese.

Shqipëria rezulton të ketë nivelin më të lartë të fondeve të përdorura në mënyrë të parregullt në rajon, duke tejkaluar madje edhe Turqinë.

Duke qenë se bëhet fjalë për fondet e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, Komisioni pret që autoritetet shqiptare ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet maksimal. BE rithekson gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj fermerëve shqiptarë dhe sektorit agro-ushqimor, por vetëm nëse garantohet mbrojtja e interesave financiare të Unionit.

Krahas fondeve të IPARD II, pezull mbeten edhe transferimet për programin IPARD III, që arrijnë në 146 milionë euro, prej të cilave 112 milionë janë kontribut i Bashkimit Evropian. Afati për përfitimin e këtyre fondeve skadon në vitin 2027, dhe Shqipëria rrezikon t’i humbasë nëse nuk rikthen besimin e institucioneve evropiane përmes masave të shpejta dhe efektive korrigjuese.

Aktualisht, po zhvillohet një procedurë dypalëshe mes Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare, me synimin për të garantuar zbatimin sa më të shpejtë të rekomandimeve dhe vendosjen e mekanizmave të duhur të kontrollit.

Paralelisht me institucionet evropiane, çështja e abuzimit me fondet IPARD po hetohet edhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit