“SPAK dhe autoritetet europiane zbulojnë një strukturë kriminale të sofistikuar, që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Gjermanisë, Turqisë dhe Amerikës së Jugut”.
Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit të PS, Rahman Rraja, dhe Përparim Rraja, kushërinj të ish-deputetit, u arrestuan mëngjesin e 10 dhjetorit 2025 së bashku me 12 persona të tjerë si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë transportuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, Gjermanisë, Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt BE-së. Nga hetimet u identifikuan rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve të ndryshëm, duke dokumentuar funksionimin e grupit në mënyrë të organizuar dhe profesionale.
Hetimet nisen në janar 2024 për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe janë të paktën tre episode të trafikimit të lëndëve narkotike, të kapura në Malin e Zi, Holandë dhe Turqi, për të cilat prokuroria dyshon se është i përfshirë grupi, baza e të cilit ishte në Fushë-Krujë.
Gjatë aksioneve të kryera, autoritetet shqiptare dhe europiane kanë zbuluar dhe administruar komunikimet e grupit përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Përveç trafikut të drogës, hetimet treguan se të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme, duke konfirmuar dimensionin financiar dhe strukturor të rrjetit.
Më 3 nëntor 2020, në pikën kufitare të Podgoricës, autoritetet malazeze sekuestruan një nga kapjet më të mëdha të drogës të atij viti: 1.722 kilogramë marijuanë, e fshehur brenda një kamioni që kishte hyrë nga Shqipëria dhe që, sipas dokumenteve, duhej të udhëtonte drejt Gjermanisë. Hetuesit vendas nisën të dyshonin menjëherë se pas këtij transporti nuk qëndronte një grup i vogël kontrabandistësh, por një strukturë më e gjerë kriminale, e organizuar dhe e pajisur me logjistikë të sofistikuar.
Pikërisht kjo ngjarje u bë shtysa e parë për bashkëpunim të zgjeruar mes autoriteteve të Malit të Zi dhe SPAK në Shqipëri. Ndërhyrja e prokurorëve shqiptarë dhe krahasimi i të dhënave të lëvizjes së kamionit zbuluan se ngarkesa kishte hyrë fillimisht nga Kapshtica, ishte devijuar në Lushnjë, ku dyshohet se u ngarkua me drogë në një magazinë private, dhe më pas ishte rikthyer në itinerarin e saj për të kaluar në Han të Hotit. Arrestimi në Mal të Zi i drejtuesit të mjetit, Ervis Çalliku, u pasua nga ndalimet në Shqipëri dhe ky episod u kthye në hallkën e parë të një zinxhiri shumë më të gjatë, lidhjet e të cilit përfundonin në Amerikën e Jugut.
Në muajt që pasuan, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet holandeze dhe turke, identifikoi edhe dy episode të tjera të rëndësishme të të njëjtit rrjet kriminal. Më 23 nëntor 2020, në Holandë u sekuestruan 475 kilogramë kokainë të nisura nga Ekuadori dhe të destinuara për Portin e Vlissingenit, ndërsa më 26 janar 2021 autoritetet turke kapën 236 kilogramë marijuanë të ardhura nga Shqipëria. Të gjitha këto ngjarje konvergonin në të njëjtat emra, të njëjtat role dhe të njëjtin komunikim të koduar, të kryer përmes aplikacionit “SkyECC”, të administruar më pas si provë nga autoritetet franceze.
“Nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar dyshime të arsyeshme, të mbështetura në prova, se personat e dyshuar janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian. Gjatë veprimtarisë së tyre, të dyshuarit kanë komunikuar gjithashtu mes tyre përmes aplikacionit të enkriptuar “SkyECC”. Këto komunikime janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike” – thuhet në njoftimin e prokurorisë së Posaçme.
Nga tërësia e provave, SPAK lëshoi 14 masa sigurie, prej të cilave u ekzekutuan 10, duke çuar në arrestimin e personave të dyshuar si drejtues, financues dhe bashkëpunëtorë në trafikun ndërkombëtar.
Rexhep Rraja, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Zamir Aliaj (alias Zamir Çoku), Sokol Qaja dhe Marvin Bushati (alias Marvin Kopliku) u arrestuan nga policia mëngjesin e së mërkurës më 10 dhjetor 2025, ndërsa Aldo Gjini (alias Aldo Iamandi), Jani Çavo, Islam Sefa (alias Islam Xaka) iu komunikua vendimi i gjykatës për masën e arrestimit në qelitë e burgut ku ndodhen për shkak të kryerjes së veprave të tjera penale. Policia bëri të ditur se janë shpallur në kërkim edhe pesë persona të tjerë të cilët nuk janë gjendur nga kontrollet e policisë së kryera, në Fushë-Krujë, Durrës, dhe Kukës.
“Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera të 10 personave. Nga këto ambiente u sekuestruan 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 415.000 euro, 7.000 paund dhe 1.000.000 lekë, si dhe u bllokuan dy armë gjahu me leje” – njoftoi Policia e Shtetit.
SPAK thekson se “të dyshuarit, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me të tjerë, vepronin si grup i strukturuar kriminal dhe trafikonin narkotikë kryesisht drejt Gjermanisë” dhe se hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale.
Prokuroria dyshon se grupi, baza e të cilit është në Fushë-Krujë, drejtohej nga fisi Rraja, ku Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, është një emër i njohur për organet ligjzbatuese për shkak të përfshirjes së tij në ngjarje të dhunshme dhe kriminale.
Në vitin 2023, ai u filmua duke goditur me shkop bejsbolli dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, ngjarje ku ishin të përfshirë edhe anëtarë të tjerë të fisit Rraja, përfshirë vëllezërit e deputetit Xhelal dhe Flamur Rraja.
Rexhep Rraja ka qenë gjithashtu i përfshirë në rastin e dhunës ndaj ish-partneres së tij, Xhisiela Malokut, i denoncuar fillimisht nga oficeri Emiljano Nuhu. Raporti i mjekësisë ligjore konfirmoi dëmtime në trupin e saj. Ai u arrestua më 30 shtator 2018 dhe u lirua tre muaj më pas me kusht. Aktualisht, Rexhep Rraja është i dyshuar për përfshirje aktive në trafik ndërkombëtar të drogës, duke e vendosur emrin e tij sërish në qendër të një rrjeti kriminal të strukturuar dhe ndërkombëtar.