Përmbysen pistat e hetimit për atentatin në Rinas: Ekspertiza balistike ndryshon skenarin

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 10.12.2025, 17:30

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin mafioz të 11 nëntorit pranë Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe oficeri i AMP-së, Muçi Shaljani, i cili u nda nga jeta pak ditë më vonë për shkak të plagëve të marra.

Ekspertiza balistike e armëve të gjetura në automjetin e djegur të autorëve ka konfirmuar se ato nuk janë përdorur në asnjë ngjarje tjetër kriminale. Ky rezultat përjashton një nga pistat fillestare të hetimit, sipas së cilës arsenali mund të ishte siguruar në banesën e zbuluar pas atentatit në fshatin Zall, pronë e Ylli Zallës, i cili vijon të jetë në kërkim.

Ndërkohë, 35-vjeçari me inicialet B. Xh., i shoqëruar më 9 dhjetor në kuadër të hetimeve, është lënë i lirë pas marrjes në pyetje. Banori i fshatit Halil – zonë ku u gjet e djegur “Toyota”-ja e autorëve – ka deklaruar se në momentin e atentatit nuk ndodhej në banesë dhe se nuk ka dijeni për lëvizjet e ekzekutorëve. Ai u thirr nga policia për shkak të një dënimi të mëparshëm për vjedhje me dhunë.

Një muaj pas ngjarjes së rëndë, hetimet vazhdojnë të përqendrohen në marrjen në pyetje të personave që mund të kenë informacion të rëndësishëm, por ende nuk ka autorë apo porositës të identifikuar. Dani dhe Shaljani sapo ishin kthyer nga një udhëtim në Barcelonë, kur në rrethrrotullimin e Rinasit u pritën nga atentatorët që i ekzekutuan me breshëri armësh.

Në vijim, pritet që grupi hetimor të analizojë të dhëna të reja për të zbardhur motivin dhe identitetin e autorëve të atentatit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit