Ëngjëll Cani, babai i të miturit Martin Cani që humbi jetën një vit më parë pas një goditjeje me thikë pranë shkollës “Fan Noli”, ka ngritur sërish akuza ndaj institucionit arsimor. Ai thotë se shkolla nuk ka marrë asnjë masë informuese ndaj prindërve në momentin kur konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur ditë më parë, gjë që sipas tij mund të kishte parandaluar tragjedinë.
“Shkolla është shkaktari i parë i kësaj ngjarje. Unë shkollën e kisha 5 minuta larg nga puna ku punoja. Një mesazh mund të shpëtonte jetë. Unë mund të shkoja ta merrja djalin. Një mesazh i tyre mund të kishte shpëtuar një jetë”, tha Ëngjëll Cani, babai i të Martinit.
Ndërkohë, Prokuroria ka dënuar me 16 vite burg autorin e ngjarjes, Mario Përlleshaj, i cili më 18 nëntor 2024 i mori jetën 15-vjeçarit rreth 200 metra larg shkollës. Konflikti mes të miturve kishte nisur disa ditë më herët brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta dhe, edhe pse ishte shuar përkohësisht, u rikthye sërish ditën e ngjarjes.
Gjatë paradites, të dy u përplasën në tualetet e shkollës dhe u ndanë nga punonjësi i sigurisë, por tensionet kulmuan pas mësimit. Të shoqëruar nga bashkëmoshatarët e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku sherri degjeneroi në dhunë fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes.