Pas gati shtatë vitesh humbjesh të mëdha, borxhesh të akumuluara dhe marrëveshjesh të paqarta për financimin e fluturimeve charter të kryeministrit Edi Rama, duket se linja ajrore kombëtare “Air Albania” ka mbërritur në pikën e saj të fundit.
Sipas raportimeve, Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka pezulluar licencën e kompanisë për mosrespektim të legjislacionit të aviacionit. Vendimi është marrë në fillim të muajit dhe “Air Albania” prej tre ditësh nuk ka kryer asnjë fluturim.
Pezullimi është pa afat dhe do të hiqet vetëm pasi kompania të plotësojë të gjitha kërkesat ligjore. Deri atëherë, “Air Albania” nuk mund të operojë me fluturime dhe çdo shitje biletash konsiderohet potencialisht mashtrim.
Ekspertë të fushës së aviacionit vlerësojnë se për shkak të krizës së rëndë financiare që e ka goditur kompaninë, gjasat për rikthim janë minimale dhe se ky vendim i AAC-së mund të jetë goditja që vulos përfundimisht mbylljen e saj.
Të dhënat e “FlightAware” tregojnë se që prej 7 dhjetorit “Air Albania” nuk ka operuar asnjë fluturim, duke anuluar vazhdimisht linjat drejt Milanos dhe Stambollit. E themeluar në vitin 2018, në vend të “Albanian Airlines”, kompania u promovua si “flamuri i Shqipërisë”, ndonëse gjatë gjithë ekzistencës së saj ka mbetur e varur nga financimet e Turkish Airlines. Fati i saj u përkeqësua edhe më tej kur Turkish njoftoi disa javë më parë tërheqjen nga ortakëria dhe shitjen e 49% të aksioneve.
Ndërkohë, “Air Albania” përballet me padi ndërkombëtare për mospagim të qirasë së avionëve, dhe borxhet e saj të cilat nuk janë publikisht të deklaruara, mendohet të jenë në dhjetëra milionë euro ndaj furnitorëve, tatimeve, aeroporteve dhe punonjësve. Edhe pse praktikisht në faliment financiar, kompania nuk e ka shpallur zyrtarisht falimentimin.
Pezullimi i licencës duket se është goditja e fundit për kompaninë, e cila sipas kritikëve u shndërrua më shumë në një instrument për udhëtimet me charter të kryeministrit sesa në një linjë ajrore funksionale. Opozita e ka akuzuar kreun e qeverisë si përgjegjës për rrënimin e “Air Albania”, për shkak të përdorimit të avionit “Ismail” nga vetë ai për udhëtime të kushtueshme.