Qeveria italiane dhe shqiptare gati të mbushë Gjadrin me bangladeshas dhe egjiptian

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 10.12.2025, 13:43

Qeveria italiane po përgatitet të rihapë Qendrën e Gjadrit në Shqipëri, e cila prej muajsh ka qëndruar bosh, raportojnë mediat italiane, përfshirë La Repubblica. Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi synon që ky objekt të përdoret sërish për migrantët që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta, duke u bazuar në rregullat e reja të BE-së për procedura të përshpejtuara të kufirit. Sipas planit, migrantët nuk do të transferohen më direkt nga deti në qendër, por do të dërgohen në Shqipëri vetëm pas regjistrimit fillestar në hotspot-et italiane, pavarësisht mënyrës së mbërritjes në Itali.

Gjadri do të funksionojë si qendër e kthimit drejt një vendi të tretë të sigurt, ndërsa autoritetet italiane parashikojnë një fluks shumë më të madh se në fazën e parë të funksionimit, duke qenë se lista evropiane e vendeve të origjinës së sigurta përfshin tani Bangladeshin, Egiptin, si edhe shtetas tunizianë e marokenë. Vetëm nga Bangladeshi dhe Egjipti këtë vit kanë mbërritur mbi 28 mijë persona, rreth gjysma e të gjitha mbërritjeve. Ministria e Brendshme italiane llogarit se shumica e 1.100 vendeve të Qendrës së Gjadrit do të mbushen me një qarkullim të shpejtë, pasi procedurat e reja parashikojnë riatdhesim brenda një muaji dhe eliminimin e apelimeve automatike që më parë vononin procesin.

Ndryshimet e miratuara nga Këshilli i BE-së, përfshirë heqjen e pezullimit automatik të riatdhesimit në rast ankimi, janë cilësuar nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio si një hap thelbësor drejt qartësisë juridike. Qeveria italiane beson se paketa e re adreson të gjitha rezervat e ngritura më herët nga gjykatat italiane ndaj “modelit Shqipëria”. Ndërkohë, boshatisja e qendrës së Gjadrit ka nxitur kritika nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, e cila e ka konsideruar situatën “në kufijtë e demokracisë”, duke shtuar presionin për rihapjen e menjëhershme të strukturës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit