I vendosën tritol në biznesin e tij në Shkodër, pronari: S’kam kërcënime nga askush

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.12.2025, 12:45

Një shpërthim me tritol është regjistruar mbrëmjen e kaluar në ambientet e një biznesi reklamash në lagjen "Skënderbeg" të Shkodrës. Pronari i subjektit, Lulzim Mehmetaj, u mor në pyetje nga policia, por ai deklaroi se nuk ka pasur kurrë konflikte apo kërcënime. Në pamjet e siguruara nga JOQ shihen qartë dëmet që ka lënë shpërthimi.

Sipas Mehmetajt, gjatë gjithë kohës që biznesi i tij ka qenë në funksion, nuk ka hasur probleme me askënd. Megjithatë, policia dhe grupi hetimor po e orientojnë hetimin kryesisht drejt pistës së konkurrencës në fushën e reklamave.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy persona që lëvizin me motoçikletë; njëri prej tyre vendos lëndën plasëse dhe më pas largohen me shpejtësi.

“Nuk e kam idenë se kush e ka vendosur sasinë e eksplozivit. Nuk kam patur asnjëherë probleme me askend, as kërcënime dhe asgjë tjetër të këtij lloji. Ne operojmë prej shumë vitesh në fushën e reklamave dhe marketingut në Shkodër dhe nuk e di përse është vendosur tritoli pranë subjektit tim. Gjatë gjithë ditës thuajse isha në shtëpi për shkak të një viroze. Nuk kam asnjë ide se kush mund të jenë autorët”, mësohet të ketë deklaruar pronari i “Lufa Print”.

Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka nisur hetime të thelluara për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Shpërthimi ka shkaktuar një tronditje të fortë në zonë, pavarësisht se sasia e eksplozivit nuk ka qenë shumë e madhe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit