Një person që dyshohet se ka dijeni mbi atentatin në Rinas, ku u vranë Gilmando Dani dhe efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani (Sheqeri), u shoqërua nga policia mbrëmjen e djeshme.
Sipas burimeve, mësohet se 35-vjeçari me iniciale B.Xh është banor i zonës në fshatin Halil ku u dogj makina “Toyota” e autorëve. I riu ka banesën shumë pranë ku u dogj makina, por në deklarimet e tij ka pohuar se në atë momente nuk ndodhej në shtëpi dhe në këtë formë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, apo të ketë parë lëvizje të autorëve të mundshëm.ta.
Shoqërimi i tij u bë për shkak se më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë. Rreth një muaj pas atentatit, policia vazhdon të marrë në pyetje persona të ndryshëm që mund të kenë informacion, por ende nuk ka autorë apo porositës të identifikuar.
Si u vra Gilmando Dani?
Atentati ndaj Danit dhe Shaljanit u krye në rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit, një nga zonat më të sigurta të vendit, në orën 14:15 të datës 11 nëntor. Në atë moment, rastësisht ose jo aty nuk kishte forca policie të pozicionuara, ndryshe nga praktika e zakonshme, ku policia të krip kokën nëse ndalon pak sekonda në rreth. Dani sapo kishte mbërritur nga Barcelona, ku kishte qëndruar katër ditë.
Pamjet filmike të publikuara tregojnë se autorët, pasi marrin informacion se mjeti ku ndodhej Dani ka dalë nga parkimi i aeroportit, pozicionohen në anën tjetër të rrethrrotullimit dhe presin disa sekonda. Kur automjeti “Benz” afrohet, tre atentatorët zbresin të maskuar dhe qëllojnë me breshëri kallashnikovi. Pasi makina ndalon, dy prej tyre hyjnë brenda saj, ndërsa i treti shkon drejt automjetit për t’u siguruar që objektivi ishte eliminuar.
Mjeti “Toyota” i përdorur nga autorët kishte targa greke, të cilat rezultuan të vjedhura në Greqi një vit më parë. Për shkak të djegies së plotë të makinës, numri i shasisë nuk ka mundur të verifikohet ende. Brenda saj u gjetën tre kallashnikovë dhe një pistoletë dyshohet të përdorura në eleminimin e Danit.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia ende nuk ka një pistë të qartë në lidhje me motivin apo personat përgjegjës.