Aldo Gjini është një prej personave të ndaluar në operacionin e fundit të SPAK kundër grupit të strukturuar kriminal “Rraja”, ku ai u informua për masën e arrestit brenda qelisë. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme e lidhin Gjinin me veprimtari kriminale të trafikut të drogës dhe aktivitetet e grupit, në të cilin dyshohet se ishte i përfshirë edhe djali i ish-deputetit Rrahman Rraja.
Emri i Gjinit ka dalë vazhdimisht në skenë gjatë viteve për shkak të përplasjeve me ligjin. Një nga ngjarjet më të bujshme mbetet ajo e vitit 2021 në Tiranë, ku pas një aksidenti automobilistik ai përdori armë ndaj dy të rinjve, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Autoritetet ndërkombëtare e kanë kërkuar gjithashtu për ngjarje të rënda, mes të cilave tentativa vrasjeje, trafik armësh dhe një plagosje e ndodhur në Luksemburg në vitin 2020.
Problemet e tij me drejtësinë datojnë më herët. Në Itali ai është arrestuar në disa raste, përfshirë një hetim në vitin 2016 për trafik narkotikësh së bashku me të vëllanë dhe një mik, si dhe një arrestim në vitin 2011 për pengmarrje, ku dyshohej se konflikti lidhej me ndarjen e territoreve për trafik droge. Dosjet e shumta ndaj tij e bëjnë Gjinin një emër të njohur për organet ligjzbatuese në Shqipëri dhe jashtë saj.