Një hetim i gjerë i realizuar nga 14 transmetues publikë europianë, përfshirë BBC-në, ka zbuluar se një dhurues sperme ka sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në të paktën 14 vende të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë, ndërkohë që mbante pa dijeninë e tij një mutacion të rrezikshëm gjenetik. Zbulimi ka tronditur dhjetëra familje dhe ka ndezur debate të forta mbi mungesën e rregullimit të tregut ndërkombëtar të spermës.
Dhuruesi, i cili nisi dhurimin që në vitin 2005 kur ishte student, rezultoi të mbante një mutacion në gjenin TP53, përgjegjës për sindromën e rrallë Li-Fraumeni — një gjendje që rrit deri në 90%rrezikun për zhvillimin e kancerit gjatë jetës. Ndërsa dhuruesi vetë është i shëndetshëm, pasi mutacioni ishte i pranishëm vetëm në rreth 20% të spermatozoideve të tij, fëmijët e krijuar nga ato qeliza të prekura e kanë trashëguar mutacionin në çdo qelizë të trupit.
Pasojat janë dramatike: disa nga fëmijët e lindur tashmë janë diagnostikuar me kancer, ndërsa disa të tjerë kanë humbur jetën në moshë shumë të re. Mjekët që trajtonin këta fëmijë ngritën alarmin gjatë një konference ndërkombëtare këtë vit, pasi vunë re një numër të pazakontë rastesh të ngjashme që lidhnin gjurmët te i njëjti dhurues.
Sipas hetimit, sperma e dhuruesit është shpërndarë në 67 klinika fertiliteti në vende si Danimarka, Belgjika, Spanja, Gjermania, Greqia, Polonia, Irlanda, Maqedonia e Veriut, Serbia, Hungaria, Gjeorgjia, Islanda, Qiproja dhe Shqipëria. Kjo ka ndodhur pavarësisht kufizimeve kombëtare që synojnë të kufizojnë numrin e familjeve që mund të përdorin spermën e një dhuruesi.
Në Belgjikë, ku maksimumi i lejuar është gjashtë familje për dhurues, sperma e tij është përdorur nga 38 gra, duke sjellë në jetë 53 fëmijë vetëm në atë shtet. Vetë Banka Europiane e Spermës me qendër në Danimarkë ka pranuar se kufizimet “fatkeqësisht” janë shkelur në disa vende.
Zbulimet po nxisin thirrje të reja për rregulla më të forta, transparencë më të madhe dhe koordinim ndërkombëtar në industrinë e dhurimit të spermës, ndërsa familjet e prekura kërkojnë përgjigje dhe mbështetje.