Numri i pacientëve kronikë në Shqipëri vijon të rritet nga viti në vit, por paralelisht po shfaqet një paradoks alarmant: mbështetja shtetërore përmes barnave të rimbursuara po tkurret, duke rënduar ndjeshëm buxhetet familjare të pacientëve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në vitin 2024 janë rimbursuar rreth 223 mijë barna më pakkrahasuar me vitin paraprak. Ky ulje lidhet kryesisht me heqjen nga lista e rimbursimit të disa barnave të kushtueshme, veçanërisht atyre që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare — ndër më të përhapurat në vend.
Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 1,005,417 receta, një shifër që, pavarësisht volumit të lartë, shoqërohet me një tjetër tregues shqetësues: vlera mesatare e rimbursimit për recetë ka rënë në 3,841 lekë, nga 4,108 lekë që ishte në 2023.
Kjo tregon një ulje reale të mbështetjes financiare që shteti i jep pacientëve, pavarësisht deklarimeve zyrtare për zgjerim të listës së barnave të rimbursuara. Në terren, të dhënat farmaceutike japin një panoramë krejt tjetër: të sëmurët po shtohen, çmimet e medikamenteve po rriten, ndërsa mbulimi i rimbursimit po bëhet gjithnjë e më simbolik.
Për mijëra pacientë kronikë, rimbursimi mbulon sot vetëm një pjesë minimale të kostos së trajtimit, duke lënë pjesën dërrmuese të shpenzimeve për t’u përballuar nga xhepi i tyre. Për shumë familje, sëmundja po kthehet në një barrë të dyfishtë — shëndetësore dhe ekonomike.
Në një kohë kur popullsia po plaket dhe sëmundjet kronike janë në rritje të vazhdueshme, tkurrja faktike e barnave të rimbursuara po thellon hendekun mes nevojave të pacientëve dhe mbështetjes që ofron sistemi shëndetësor.