Një shpërthim me lëndë plasëse ndodhi mbrëmjen e 9 dhjetorit pranë subjektit “Lufa Print” në Shkodër, duke shkaktuar panik në zonën përreth. Pronari, Lulzim Mehmeti, ka deklaruar para policisë se nuk ka pasur konflikte apo kërcënime dhe se ditën e ngjarjes ka qëndruar në banesë për shkak të një viroze. Ai është shprehur se nuk ka asnjë ide se kush mund ta ketë organizuar vendosjen e tritolit.
Forcat e rendit dhe prokuroria kanë nisur hetimet, duke sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve pranë. Pamjet tregojnë dy persona të rinj që afrohen me motor, vendosin sasinë e eksplozivit pranë qepenave të “Lufa Print” dhe largohen me shpejtësi. Autorët ishin të maskuar, me kapuç dhe fytyrën e mbuluar, gjë që e vështirëson identifikimin e tyre.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të rinjtë mund të jenë paguar për të kryer vendosjen e eksplozivit. Pas shpërthimit ata janë larguar drejt zonës rurale të njësisë Rrethina, ku mungojnë kamerat e sigurisë. Policia e Shkodrës po punon mbi disa pista hetimore për të identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes.