Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Melburn të Australisë, ku policia ka gjetur trupin e një fëmije 18-muajsh të varrosur në një varr të cekët në oborrin e një shtëpie në zonën Brookfield.
Zbulimi u bë gjatë një operacioni hetimor lidhur me zhdukjen e fëmijës. Autoritetet nisën gërmimet të hënën dhe pas rreth gjashtë orësh punë arritën të gjenin mbetjet mortore të foshnjës, të cilat ishin varrosur vetëm 50 cm nën tokë.
Policia dyshon se trupi mund të ketë qenë i varrosur aty për më shumë se dhjetë vjet.
Sipas raportimit, fëmija ka jetuar në atë shtëpi së bashku me prindërit dhe dy vëllezër e motra në vitin 2014, para se familja të largohej dhe të kthehej jashtë Australisë, me dyshime se destinacioni ka qenë Shqipëria. Foshnja nuk është raportuar e zhdukur në atë kohë.
Pronari aktual i shtëpisë, i cili nuk ka lidhje me familjen që jetonte aty më parë, tha se u trondit kur policia e informoi se vetëm disa metra nga dera e tij mund të ishte varrosur një trup.
“Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë, por ka ndodhur 14 vite më parë. Diçka shumë e keqe, shumë e tmerrshme,” u shpreh ai.
Policia e Viktorias theksoi se banorët aktualë nuk kanë asnjë dijeni apo lidhje me ngjarjen ose personat që kanë jetuar në banesë më parë.
Identifikimi i mbetjeve mortore ende nuk është bërë dhe po pritet zyrtarisht rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore.
“Koroneri është njoftuar dhe një autopsi do të kryhet në vijim,” deklaroi policia.
Hetimet tani janë marrë përsipër nga Seksioni i Personave të Zhdukur dhe procesi vijon.
Duket se policia është sinjalizuar nga një i afërm i foshnjës, i cili nuk ka mundur ta mbajë më sekretin.
Nuk dihet ende nëse autoritetet australiane janë vënë në kontakt me autoritetet shqiptare, por Australia ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë.