Klodian Kulla, 39-vjeçari nip i Nehat Kullës, ka ndërruar jetë pas një vetëvrasjeje të regjistruar dje në rrugën e Arbrit. Burime nga policia njoftojnë se 39-vjeçari nuk kishte konflikte me persona të tjerë dhe ngjarja po hetohet si vetëvrasje, duke marrë parasysh një gjendje të rënduar depresive dhe ankthi kronik. Familjarët kanë pohuar se ai gjatë kohës së fundit shfaqte perceptime të çrregullta dhe halucinacione, ku ndonjëherë imagjinonte situata kërcënuese, që reflektonin gjendjen e tij psikologjike.
Për të ndihmuar gjendjen e tij, familja e kishte mbështetur me trajtime psikologjike dhe medikamente, ndërkohë që së fundi kishin angazhuar edhe një Hoxhë për trajtim fetar dhe psikologjik. Klodian Kulla, pas secilës seancë terapie, zakonisht dilte për shëtitje me makinë në zonat e natyrës pranë Shkallës së Tujanit dhe rrugës së Dibrës, duke u shoqëruar nga një familjar ose nga nipi i tij.
Dita e djeshme solli fatkeqësinë e papritur, pasi 39-vjeçari ka dalë i vetëm me makinë dhe, sapo ka mbërritur te ura e madhe metalike në rrugën e Arbrit, ka lënë mjetin dhe është vetëhedhur nga një lartësi, duke humbur jetën. Policia ka kryer hetime për ndonjë konflikt të mundshëm, por nuk janë gjetur elemente që të implikonin persona të tjerë. Tragjedia vjen pas një periudhe të gjatë ku gjendja psikologjike e Klodian Kullës ishte e rënduar dhe familja kishte bërë përpjekje për ta mbështetur nga të gjitha anët.