Fenomeni i zaptimit të parkimeve publike në Tiranë vijon të krijojë tension mes qytetarëve. Një denoncim i mbërritur në redaksi tregon se si një qytetar është përballur me kërcënime vetëm sepse parkoi në një vend tërësisht publik dhe të ligjshëm, 50 metra larg pallatit ku banon.
Sipas tij, një person i panjohur iu afrua me ton kërcënues, duke pretenduar se vendi i parkimit “i përkiste pallatit të tij”, edhe pse hapësira nuk ishte e zënë, nuk kufizonte asnjë hyrje a garazh dhe ishte pjesë e rrugës publike. Denoncuesi thekson se ky është një fenomen i përhapur, ku individë vendosin goma, bidona, karrige apo objekte të tjera për të “rezervuar” rrugën sikur të ishte pronë private.
Ai apelon që qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm dhe të mos dorëzohen përballë presioneve të tilla, pasi askush nuk ka të drejtë të privatizojë hapësirat publike.
Më poshtë mesazhi i plotë i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ. Doja të ndaj një shqetësim për fenomenin e zaptimit të parkimeve në Tiranë. Sot, ndërsa po parkoja në një vend parkimi publik në Tiranë, të cilin e kam përdorur prej muajsh dhe që është 50 metra larg pallatit ku banoj, një person i panjohur më është afruar dhe, me një ton kërcënues, më ka kërkuar të mos e lija makinën aty, duke pretenduar se hapësira i përkiste “pallatit të atij”. Parkimi ishte plotësisht i ligjshëm dhe bëhej fjalë për hapësirë publike, pa zënë ndonjë hyrje apo garazh (pallat i tipologjisë së vjetër). E ndaj këtë për të ndërgjegjësuar të tjerët dhe për të theksuar që askush nuk ka të drejtë të privatizojë hapësirën publike apo të ushtrojë presion dhe kërcënime ndaj qytetarëve. Hapësira publike është për të gjithë dhe duhet respektuar. As nuk mund të zihet me goma, bidona, karrige apo televizora sikur të ishte salloni i shtëpisë. Kur blini hyrje në pallate, nuk blini rrugën. As ju garanton njeri që do gjeni parkim te dera.”