Një raport tronditës i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka ngritur shqetësime për gjendjen e sigurisë në shkollat shqiptare, ku dhuna fizike, verbale dhe psikologjike po rritet me ritme shqetësuese, ndërsa oficerët e sigurisë rezultojnë pa një kriter të qartë ligjor për t’i raportuar rastet në Policinë e Shtetit.
Sipas auditimit të kryer për periudhën 2021–2024, në shkolla janë referuar plot 892 raste dhune fizike, ndërkohë që dhuna psikologjike dhe verbale arrin në 333 raste. Bullizmi është dokumentuar 186 herë, ndërsa kërcënimet, shantazhet dhe përndjekjet zënë 178 raste. Problematikat me përdorimin e drogës, duhanit dhe alkoolit janë shfaqur në 133 raste, një shifër alarmante për moshat e vogla.
Situata është përkeqësuar edhe më shumë në katër muajt e parë të vitit shkollor 2024–2025, ku janë regjistruar 528 incidente, mes tyre edhe 8 nxënës të kapur me armë brenda ambienteve të shkollës.
Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit është mungesa e një kriteri të qartë që përcakton kur një rast duhet t’i raportohet Policisë së Shtetit. Ky boshllëk po krijon konfuzion dhe praktika të ndryshme nga një shkollë në tjetrën.
Oficerët e sigurisë, sipas raportit, shpesh vetëcensurohen në raportime, duke shmangur përmendjen e emrit të shkollës dhe duke u ndier nën presionin e drejtuesve. Në shumë raste, incidentet trajtohen vetëm me komunikim gojor, pa dokumentim dhe pa referim zyrtar.
Një oficer i sigurisë ka deklaruar se vetëm “dhuna ekstreme” i raportohet policisë, ndërsa rastet e tjera mbyllen “mes për mes” brenda institucionit. Një tjetër oficer theksoi se referimi varet nga pajtimi i palëve, ndërsa një i tretë pranoi se nuk raporton dhunën psikologjike, sepse policia nuk ka masa konkrete as për dhunën fizike.
Kjo qasje e pakoordinuar, sipas KLSH-së, ka bërë që vendimmarrja të mbetet në dorën e interpretimit personal të çdo oficeri, një praktikë që rrezikon mosndëshkimin e rasteve serioze dhe fshehjen e problematikave.
Raporti ngre edhe pikëpyetje të forta mbi përgatitjen profesionale të oficerëve të sigurisë. Nga 120 orë trajnimi, vetëm 60 u kushtohen njohurive teorike, ndërsa presionet nga prindërit dhe drejtuesit i bëjnë edhe më të brishta vendimet e tyre.
Në këto kushte, auditimi pyet me të drejtë: Si mund të ushtrohet me objektivitet roli i oficerit të sigurisë, kur nuk ka kritere të unifikuara dhe kur raportimet varen nga frika, presioni apo skepticizmi ndaj rezultateve të bashkëpunimit me policinë?
KLSH paralajmëron se, pa vendosur një kriter të qartë dhe të detyrueshëm për raportimin, incidentet rrezikojnë të minimizohen, të fshihen ose të trajtohen në mënyrë jo profesionale, duke vënë në rrezik sigurinë e nxënësve dhe duke deformuar të gjithë sistemin e mbikëqyrjes.
Raporti mbyllet me një thirrje të fortë për ndërhyrje urgjente: nëse ky boshllëk nuk plotësohet, dhuna në shkolla do të vazhdojë të rritet, ndërsa institucionet do të mbeten të verbra përballë problemeve që duhen adresuar menjëherë.