Australia është bërë vendi i parë në botë që ndalon aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën 16-vjeç. Duke nisur që prej mesnatës së të martës, platforma si TikTok, Instagram, Facebook dhe YouTube janë të detyruara të bllokojnë përdoruesit minorenë, përndryshe rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë.
Vendimi ka marrë kritika të forta nga kompanitë teknologjike dhe aktivistët e lirisë së shprehjes, por është pritur pozitivisht nga prindërit dhe organizatat që mbrojnë fëmijët.
Kryeministri Anthony Albanese, në një video që do të shfaqet në shkollat australiane, u bëri thirrje të rinjve të largohen nga ekranet dhe të shfrytëzojnë pushimet për aktivitete reale: “Merruni me sport, mësoni një instrument të ri ose lexoni një libër. Dhe mbi të gjitha, kaloni kohë me familjen dhe miqtë, ballë për ballë.”
Shumë shtete po e ndjekin me vëmendje këtë vendim, pasi shqetësimet për efektet e rrjeteve sociale te fëmijët janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Ekspertët thonë se Australia mund të vendosë një precedent global, ndërsa ligjvënësit në vende nga Danimarka në Malajzi po shqyrtojnë hapa të ngjashëm.
Sipas studiuesit Tama Leaver, “kjo është hera e parë që një qeveri përballet kaq drejtpërdrejt me Big Tech, por me shumë gjasa jo e fundit.”
Fillimisht përfshihen 10 platforma, të cilat janë urdhëruar të përdorin metoda si verifikimi i moshës përmes një selfie, dokumenteve identifikuese apo analizës së aktivitetit online. Vetëm platforma X e Elon Musk ka kundërshtuar hapur urdhrin, duke e quajtur “një mënyrë të fshehtë për të kontrolluar aksesin në internet”.
Ndërkohë, disa të rinj paralajmërojnë se masa mund të ndikojë negativisht te grupet që gjejnë mbështetje në komunitetet online. Annie Wang, 14-vjeçe, shprehet: “Për shumë të rinj, sidomos ata me interesa të pazakonta apo queer, rrjetet sociale janë e vetmja mënyrë për të gjetur komunitet dhe mbështetje emocionale. Për disa do jetë mirë, por për të tjerë mund të rëndojë shëndetin mendor.”
Sipas qeverisë, para vendimit, 86% e fëmijëve australianë të moshës 8–15 vjeç përdornin rrjete sociale.