Muaji i festave ka nisur me çmime më të kripura për konsumatorët shqiptarë. Sipas të dhënave më të fundit, inflacioni i nëntorit është rritur me 2.1% krahasuar me një vit më parë, duke sinjalizuar një tjetër dhjetor të shtrenjtë. Rritja e kërkesës në prag festash dhe manovrat e tregtarëve po nxisin rritjen e çmimeve në disa kategori kryesore.
Sektorët që kanë ndikuar më shumë në rritjen e inflacionit janë qiratë, uji dhe lëndët djegëse, të ndjekura nga ushqimet dhe pijet alkoolike. Eksperti i ekonomisë, Klodjan Muço, thekson se inflacioni i muajve të fundit ka qenë vazhdimisht i lartë për standardet e vendit: “Inflacioni i shtatorit ishte 2.4%, i tetorit 2.3%. Nuk është i ulët, por as alarmant. Gjithsesi mbetet një presion i vazhdueshëm për familjet.”
Ndërkohë, edhe mobiljet e shtëpisë, baret dhe restorantet kanë kontribuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve. Por goditja kryesore do të ndihet në tregjet ushqimore: frutat dhe perimet pritet të kushtojnë më shumë në dhjetor, pikërisht kur konsumi arrin kulmin.
Sipas Muços, historia e traditës shqiptare për shpenzime të mëdha në fundvit po shndërrohet në avantazh për shitësit: “Tregtarët e konsiderojnë këtë periudhë një mundësi të artë. Shporta e ushqimeve bazë gjatë festave rritet shumë, dhe ata reagojnë me rritje çmimesh.”
Megjithatë, Banka e Shqipërisë parashikon që deri në vitin 2026 inflacioni të stabilizohet pranë objektivit 3%, nivel që konsiderohet i qëndrueshëm. Për momentin, qytetarët duhet të përgatiten për një dhjetor më të shtrenjtë se vitet e fundit, ku festat vijnë të shoqëruara me një faturë më të lartë në tregje e supermarkete.