Pushohet nga puna sepse shkonte 40 minuta më herët

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.12.2025, 19:54

Një ngjarje e pazakontë ka bërë bujë në Spanjë, ku një kompani vendosi të pushojë një punonjëse vetëm sepse ajo mbërrinte 40 minuta më herët në punë. Ndërsa në shumicën e vendeve të punës kjo do të ishte konsideruar disiplinë dhe përkushtim, punëdhënësi spanjoll mendoi krejt të kundërtën.

22-vjeçarja, e cila punonte me turne që nisnin zyrtarisht në orën 07:30 të mëngjesit, vazhdonte të paraqitej në zyrë që në 06:45, pavarësisht paralajmërimeve të njëpasnjëshme të kompanisë që të mos mbërrinte aq herët. Sipas drejtuesve, asaj i ishte ndaluar qartësisht të fillonte punën para orarit, apo të kryente detyra të tjera “për të kaluar kohën”.

Megjithë rregullat, punonjësja u shfaq 19 herë të tjera jashtë orarit të përcaktuar, madje në disa raste u përpoq të hynte në aplikacionin e kompanisë para se të ishte fizikisht në punë. Kompania e konsideroi këtë shpërfillje të udhëzimeve si “sjellje të rëndë e të pahijshme”.

Për t’i shtuar situatës, punëdhënësi e akuzoi edhe për shitjen e një baterie të përdorur makine të kompanisë, pa autorizim. Ky element, sipas gjykatës, rëndoi edhe më shumë vlerësimin e “mungesës së besnikërisë” së saj.

Punonjësja e çoi çështjen në Gjykatën Sociale të Alicante-s, duke pretenduar se pushimi nga puna ishte i padrejtë. Por gjykata vendosi në favor të kompanisë, duke argumentuar se problemi nuk ishte ardhja e hershme, por mosbindja e vazhdueshme dhe refuzimi për të respektuar rregullat e operimit, shkelje e cila, sipas kodit të punës spanjoll, justifikon largimin nga puna.

Rasti ka ndezur debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues shprehen të habitur se dikush mund të humbasë vendin e punës pikërisht sepse është… shumë i rregullt. Punonjësja pritet të apelojë vendimin në Gjykatën Supreme të Valencias.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit